Pre. Maj 10th, 2024

Kryeministri Britanik Boris Johnson ka thënë se vaksina kundër koronavirusit AstraZeneca është e sigurt.

Po ashtu, këtë deklaratë e ka bërë edhe ministri i Shëndetësisë në Britani Matt Hancock.

“Nëse merrni një telefonatë për të bërë vaksinën, shkoni dhe bëjeni. Ne po i mbajmë nën vëzhgim efektet e këtyre vaksinave gjatë gjithë kohës dhe e dimë që vaksina Oxford-AstraZeneca po shpëton jetë në Britani”, iu bëri thirrje britanikëve, Hancock në një konferencë për shtyp.

Ndërsa nga ana tjetër Johnson u shpreh se: “Ne kemi një nga rregullatorët më me përvojë në botë. Agjencia Rregullatore e Barnave dhe Produkteve të Kujdesit Shëndetësor nuk sheh fare arsye për të ndërprerë programin e vaksinimit”.

Edhe Profesori Andrew Pollard, drejtori i grupit të Oksfordit që zhvilloi vaksinën, tha se ka prova shumë të sigurta se nuk ka rritje të një fenomeni të mpiksjes së gjakut në Britani.

Kujtojmë se Gjermania, Franca, Italia dhe Spanja u bënë vendet e fundit Europiane që pezulluan përdorimin e vaksinës anti-COVID-19 të hënën pas raporteve të disa njerëzve që pësuan mpiksje të gjakut pasi e bënë vaksinën.

Ndërkohë OBSH po shqyrton gjithashtu raportet e mpiksjes së gjakut, por iu ka bërë thirrje vendeve të mos ndalojnë procesin. /Përshtatur nga The Guardian për Labirinth

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *