Sht. Maj 11th, 2024

Tashmë dihet që Tirana është qyteti me numrin më të madh të të prekurve nga koronavirusi, kjo jo vetëm për shkak të popullsisë, por edhe për shkak të lëvizjeve më të mëdha dhe të jetës më dinamike.

Ndërkohë që njësia numër 9 e kryeqytetit është zona me pozitivitetin më të lartë të koronavirusit. Këtë fakt e ka treguar mjeku imunolog, Genc Sulçebe në një intervistë për “News 24” i cili shpjegoi gjetjet nga studimi i Akademisë së Shkencave të publikuar ditën e djeshme.

Mjeku tha se në studim janë marrë grupe të ndryshme nga zona të ndryshme të Tiranës duke u analizuar gjakun për antitrupat, ku rezultoi se zona e njësisë nr 9 ka pozitivitetin më të lartë ( nga aq kampionë që janë marrë).

Ndërsa sipas tij, në Laprakë pozitiviteti ishte zero.

“Ne përzgjodhëm një kampion nga dhuruesit e gjakut. Falënderojmë qendrën e dhurimit të gjakut. Ne bëmë një studim për antitrupat në fund të majit. Në 128 dhurues vetëm një doli pozitiv. Që tregon qartë që në muajt e parë të epidemisë qarkullimi i virusit në popullatën tonë ka qenë shumë i ulët. Në javën e parë të korrikut në aplikuam të njëjtin studim në një kampion më të madh individësh që u përzgjodhën në 4 qendra Shëndetësore në Tiranë, u përzgjodhën në mënyrë të rastësishme. Rezultatet ishin të tilla, në Qendrën Shëndetësore 3, doli me 6.3 % të individëve, rreth 79 individëve ishin pozitivë antitrupat ndaj SARS-COV 2. Në Laprakë pozitiviteti ishte 0. Në lagjen 8 pozitiviteti ishte 2.8%. Në lagjen 9 përqindja ishte më e lartë 17, 5%. Është një përqindje relativisht e ulët në krahasim me vende të Evropës që kanë një përqindje mesatare rreth 10%”, tha Sulçebe.

Ndërkohë kujtojmë se Njësia nr. 9 përfshin zonën nga Muzeu Kombëtar tek Unaza, e deri tek Bregu i Lumit. /Labirinth

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *