Një 14 vjeçar humbi jetën dje në Tiranë si pasojë e një sherri mes adoleshentësh. Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar moderatorja Alketa Vejsiu. Moderatorja i mëshon faktit se rrjetet sociale dhe sidomos Tik Tok-u duhet të jenë më në kontroll, pasi promovojnë se dhuna dhe forca është “trendy”.
Postimi i plotë:
O Zot, sa dhimbje deri ne thellësi të shpirtit të cdo shqiptari sot! Moment reflektimi i thellë për ndërgjegjen kolektive të këtij vëndi! Ky djalë mund të ishte fëmija yt, mund të ishte djali im. O Zot, veç të tilla lajme nuk dua të lexoj. Jam e tronditur. Djali më mori në telefon: “O Ma, është shoku im, kemi luajtur futboll javën e kaluar. ”Nuk di ç’fjalë mund të ngushëllojë familjen. S’ka asnjë fjalë. S’ka asnjë gjest njerëzor.…Sepse s’ka më Martin.
I thashë tim biri; Mos bjer në tundim kurrë! Nuk është burrëri forcës t’i kthehesh me forcë. Je rritur me dashuri, mos bjer kurrë në kurthin e dikujt që dobësinë e kompenson me dhunë, me forcë, me krim.
*Të marrin jetën sot, në furtunën hormonale të moshës, por jo vetëm…Fatkeqësi ndodhin kudo, në çdo vend. Por kur zgjedh të bësh me ndërgjegje këtë akt vandal, për mungesë dashurie me të cilën je rritur, ose ke parë shumë filma “thriller”, ose thjesht të duket vetja “i fortë” sepse kështu të kanë mësuar çunat e lagjes, shoqëria—kjo është fatkeqësia më e madhe.
*Ose ndonjë “balenë blu” e digitalit të ka mbushur mendjen që është heroizëm të gjuash me grushta shokun, ta shash sa me pisët, ta vrasësh —s’të ndodh asgjë. Ose ndjek yjet e medias online me precedentë dhe jetë të errët, dhe të duket “trendy” të jesh si ata.
*Për këtë e urrej median digjitale. Sepse i çmendi njerëzit, çmendi të rinjtë.
Kalova në TikTok dje.Ka plot djem e vajza të talentuar që frymëzojnë aty, por ka kaq shumë psikopatë që flasin tmerre. Dhe mijëra të tjerë i ndjekin dhe i duartrokasin. Çmenduria kolektive ka arritur nivele ekstreme.
Pashë një burrë që flet me fjalorin më llum që ekziston, dhe poshtë tij qindra të tjerë që qeshnin dhe e përkrahnin. Ai ndihet i lavdishëm. Të çmendurit çmenden dhe më keq.
Si s’ka një ligj t’i mbyllë këto profile? “Të fortët” e TikTok-ut që xhirojnë rrotat e makinave, që imitojnë Tony Montanën dhe Padrinon. Ata, pra, u mësojnë çunave të rinj që të jesh i fortë është “status”! Jemi plagosur të gjithë sot, vdekja e këtij djali është dështimi i gjithë shoqërisë.
E shoh urgjente hartimin e një ligji që penalizon “të lajthiturit e online. Përpos fakteve të tjera, mendoj se ky degjenerim nuk është çështje temperamenti apo hormonesh të moshës. Është kryesisht degjenerim prej modeleve sociale që na serviren çdo ditë, sapo hapim profilet sociale në çdo platformë. Spitali i vërtetë psikiatrik është online.
Australia ka aprovuar një ligj që, deri diku, mbron. Kambanat e alarmit po bien fort edhe në Shqipëri. Do të doja shumë të mendohej nga parlamentarët hartimi i një ligji që censuron modelet që dëmtojnë dhe që nuk lejon përdorimin e mediave sociale në asnjë platformë nën moshën 16 vjeç.
Projektligji ka hasur kundërshti në Australi, por ky ligj hyn në fuqi në fund të vitit 2024. Në kushtet e kaq shumë fatkeqësive, s’do kishte rregullator më të mirë! Mbase kjo do të ngadalësonte aftësimin e fëmijëve dhe adoleshentëve në përdorimin e platformave digjitale, por më mirë kompromis me këtë sesa me jetën.
Ndërsa censurimi dhe raportimi i profileve gati-gati “kriminale” në drejtim të gjuhës së përdorur, shpifjes, bullizmit kibernetik apo modeleve me precedentë penalë, është masë urgjente që duhet marrë!
Ngushëllime familjes. Çdo shqiptar ndjen dhimbjen tuaj sot.
- Kjo është kënga më e dëgjuar për 2024-n në TikTok
- Aurela Gaçe rikthehet në ekran si aktore, ja ku do ta shohim
- “Kisha qejf të martosha në Tropojë”, Xum Allushi: Por sa hyra në BBV…
- VIDEO/ “Dasma spektakolare dhe finale drithëruese”, Amarda Toska rikthen “Luftën e Nuseve”
- “Një ditë shumë e mirë për të bërë ndryshime”, Horoskopi i datës 27 Dhjetor
- “Fillimi i diçkaje të re që do të rezistojë gjatë”, astrologia zbulon si mbyllet viti 2024 për secilën shenjë