Ditën e sotme ka filluar marrja e dozës së dytë të vaksinës kundër koronavirusit.
I pari që e mori ishte kryeministri Edi Rama i cili u shpreh për mediat se imunizimi ka nevojë për të gjithë ciklin dhe se nuk mund të quhet i imunizuar ndaj virusit ende.
Ndërsa ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu theksoi se deri më tani janë më shumë se 650 mjekë e infermierë që janë vaksinuar, pasi janë edhe target grupi i cili janë më të rriskuar, duke qenë se ndodhen në vijën e parë të asaj që quhet “lufta” kundër virusit.
“Janë më shumë se 650 mjekë e infermierë që janë vaksinuar deri tani dhe janë duke marrë dozën e dytë, sipas kohës së përcaktuar. Do vazhdojmë me fushatën e vaksinimit. Do vijojmë me vaksinimin kapilar, kur të vijnë vaksinat nga Pfizer. Do kemi shpejt të finalizuar një fushatë të Astra Zenecas. Pas mjekëve, do ketë vaksinim edhe për të moshuarit”, tha Manastirliu.
Ndërsa kryeministri Rama njoftoi edhe dje ka marrë lajmin që brenda muajit shkurt do të vijnë vaksina nga “Pfizer” në Shqipëri.
“Dje në darkë vonë kemi marrë konfirmimin nga “Pfizer” që në mesin e shkurtit mbërrijnë 10.000 mijë dozat e parashikuara dhe brenda shkurtit do vijnë 30.000 dozat e tjera”, tha kryeministri për mediat. /Labirinth