...
Thu. Dec 26th, 2024

The special story of the student from Kosovo / Clinton saw him on TV and asked for a meeting, which the American president promised

Në prag të 24-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, Liberale.al sjell përjetimet e një ish-studenti, kalvarin e mundimeve dhe takimin me presidentin Bill Clinton, që iu solli lirinë

Nga Viola Shkulaku

Një përzierje ndjesish i përshkuan trupin, njëlloj si atë ditë, kur në radio dëgjoi, se forcat e NATO-s do të ndërhynin dhe do t’i jepnin fund luftës në Kosovë.

Ishte në të njëzetat, kur kishte lënë vendlindjen për kryeqytetin, aty ku së bashku me vëllain më të madh në moshë u gjendën me shpresën, se do të përfundonin studimet e larta.

Prishtinën, Zyber Gaka e përshkruan si një vend relativisht të sigurt, por që me fillimin e bombardimeve në 24 mars të 1999-s gjithçka ndryshoi. Lëvizjet u kufizuan në një perimetër të ngushtë, ndërsa dilnin vetëm dy herë në ditë për të blerë bukë. Nuk do të zgjaste shumë kjo situatë dhe së bashku me miqtë e tij, Zyberi do të detyrohej të merrte trenin e të largohej për në Bllacë, në kufi me Maqedoninë. Ndërsa shikimi do t’i mbetej gjithmonë pas, për vëllain që tashmë e mendonte të humbur.

“Kur filluan bombardimet vëllai ishte në një lagje tjetër të Prishtinës. Nuk kisha asnjë informacion për të. Isha shumë i brengosur dhe e pyesja veten nëse ishte akoma gjallë”, tregon ai.

Në Bllacë u gjend mes qindra mijëra refugjatësh të tjerë, të pastrehë, pa ushqim dhe kurrfarë veshmbathje. Por më e keqja për të ndoshta nuk kishte ardhur ende. Në përpjekje për t’i shpëtuar kalvarit të vuajtjeve, të gjithë së bashku tentuan të kalonin kufirin me Maqedoninë.

Kampi i refugjatëve nga Kosova në Maqedoni

Nëna të lodhura, që i lëshonin foshnjat e tyre të porsalindura në tokë, pasi iu kishin shteruar fuqitë. Njerëz që përpiqeshin të mbaheshin në këmbë duke u mbështetur pas shoku-shokut u kthyen pas të lodhur e të dëshpëruar, ndërsa policia maqedonse bënte rezistencë, që mos ta kalonin kufirin. Madje njëri prej tyre e goditi aq fortë me shkop Zyberin, saqë e gjakosi.

Mes turmës së njerëzve të trishtuar e të uritur, teksa tentonte të kapte ndonjë copë bukë, një zë i njohur i kumboi në vesh, ndërsa për herë të parë pas shumë ditësh takoi vëllain e tij. Ishte ky një moment, kur koha ndalet, sekondat bëhen orë e orët bëhen ditë, ndërsa vëllai qëndronte vetëm pak metra larg tij. Nuk iu mungonte dëshira për t’u bërë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, as malli për pjesën tjetër të familjes, që vetëm më vonë mësuan se ndodheshin në Tiranë.

Takimi me presidentin Clinton që iu solli lirinë

Një grup studentësh mblodhën rreth 40 mijë firma të kryefamiljarëve, që më pas nëpërmjet një fotoreporteri të luftës ia dërguan OSCE-së. Me ndihmën e tyre dhe pa e ditur se ç’mund t’i priste, nga kampi i refugjatëve të Stenkovecit i hipën avionit dhe u nisën drejt Gjermanisë. Ishte planifikuar që destinacioni i tyre të ishte Hamburgu, por fati e deshi që të ndalonin në Hahn.

“Avoni me të cilin ishim kishte defekt dhe për shkak të kësaj në aeroport na prisnin shumë masa sigurie si; ambulanca, zjarrfikësja dhe policia”, rrëfen Zyberi.

E quan rastësi, momentin kur doli i pari nga avioni dhe i habitur reagoi menjëherë.

“Çfarë po ndodh me ne, pse gjithë këto masa sigurie?”

E gjithë ngjarja po transmetohej live në televizion, ndërkohë që presidenti Bill Clinton ishte duke dëgjuar nga Shtëpia e Bardhë komentet e reporterit të CNN-it.

“Ai e kishte pyetur stafin se ku po ndodhte kjo ngjarje dhe pasi i treguan se ishte në Gjermani ishte shprehur: ‘Dua ta takoj këtë djalë’.”, kujton Zyberi me nostalgji.

Në atë periudhë do të mbahej takimi i G20, kështu që shumë shpejt, ai do të mbërrinte në Gjermani. Pas dy javësh, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton dhe kancelari gjerman, Gerhard Schröder mbërritën në kampin, që për ironi të fatit do të quhej famëmirë. E kujton si të kishte ndodhur sot atë takim dhe ato fjalë të presidentit amerikan që i rikthyen shpresën.

Në foto: Takimi i Zyber Gakës me presidentin amerikan Bill Clinton dhe kancelarin gjerman Gerhard Schröder/ 6 Maj 1999

Mes sakrificave dhe vështirësive, duke u fshehur nga policia, ishin rritur dhe i kishin përballur të gjitha sfidat për t’u shkolluar e për të ndërtuar jetën, dhe tashmë edhe ato pak gjëra që iu kishin mbetur, ua kishin marrë.

Në një bisedë të gjatë, presidenti amerikan e kishte pyetur, se a do të mundte të kthehej në Kosovë dhe të bashkëjetonte me serbët.

“Kam qenë i gatshëm të jetoj me ta, të njoh gjuhën e tyre, kulturën e tyre, gjithçka. Por nëse shkon në Kosovë dhe pyet një serb të moshës time se çfarë di për shqiptarët, ai do të thotë se ata vetëm të vdekur janë të mirë”, do t’i përgjigjej presidentit Clinton.

Ndërsa natyrshëm i kishte lindur pyetja: “Unë jam i gatshëm të jetojë me ata, po ata a janë të gatshëm të jetojnë me mua?”

Autograf i presidentit të SHBA-ve, Bill Clinton nga arkivi e Zyber Gakës

Duke i drejtuar gishtin, presidenti i tha, se do të bënte gjithçka që ai të kthehej në Kosovë, por i duhej vetëm një premtim prej tij.

“Po të premtoj që do të kthehesh në Kosovë, por premtomë edhe ti, që kur të kthehesh atje, do të punosh dhe nuk do të lejosh askënd që të shkelë mbi ty.”

Nga kampi në Gjermani morën me vete kujtime të bukura, mikëpritje të jashtëzakonshme dhe lirinë. Por malli për familjen, ndjenja patriotike dhe ai premtim, që i bëri presidentit e kthyen në Kosovë.

“Presidenti e mbajti premtimin e tij, unë dhe vëllai u kthyem në Kosovë. Besoj se e kam mbajtur premtimin tim dhe për këtë jam shumë i lumtur”, thotë Zyberi, teksa tregon se, ishte kaq emocionues dhe i dhembshur ai takimi me nënën, motrën dhe vëllain më të vogël në oborrin e shtëpisë.

Autograf i kancelarit gjerman, Gerhard Schröder nga arkivi i Zyber Gakës

Zyber Gaka tashmë jeton në Kosovë, e ka ndërtuar aty jetën e tij dhe për këtë nuk shpreh kurrfarë pendese. Ai është baba i tre vajzave Erës, Reas dhe Ajas.

“U ktheva në Kosovë, pasi malli për atdhe ishte shumë i madh. Ka qenë një vendim që nuk jam bërë kurrë pishman”, thotë Zyberi.

E teksa e pyet për Shqipërinë tregon, se e lidhin shumë gjëra, ndërsa veçon atë, flamurin kuqezi.

“Unë them se ky nuk është flamuri i Shqipërisë, por i shqiptarëve“, shprehet ai. 

Foto e marrë nga Facebook-u i Zyber Gaka

Related Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Seraphinite AcceleratorOptimized by Seraphinite Accelerator
Turns on site high speed to be attractive for people and search engines.