Nga Viola Shkulaku
Ishte vetëm 17 vjeç, kur në televizor pa një operacion të zhvilluar live në Marsejë. Një çast mbresëlënës, ku zemra mbulohej me akull dhe ndërkohë pacienti jetonte me një aparat artificial, i cili vinte në funksion jo vetëm zemrën, por edhe mushkëritë… Pastaj, një ngjarje tragjike, si humbja e gjyshit, e bënë që në vend të Informatikës të zgjidhte Kardiokirurgjinë.
“Profesor Ylli Popa, fqinji im më tha, se e vetmja mundësi për ta shpëtuar gjyshin ishte bypass-i, por që në atë kohë nuk bëhej në Shqipëri. Edhe pak kohë dhe gjyshi im vdiq”, tregon doktor Edvin Prifti.
Me gjyshin kishin marrëdhënie të ngushta, nga ato që shënjojnë përjetë. Në rrugën e dijes, ishte udhërrëfyesi i tij. Një burrë i shkolluar në Perëndim, që kishte përfunduar në kampet e përqendrimit në Gjermani dhe më pas ishte internuar për mëse 17 vjet në Selenicë të Vlorës, vuante nga shtrëngime gjoksi dhe gjendje para infarkti. Ishte ky momenti dramatik, që e bëri të vendosë njëherë e përgjithmonë, se do të bëhej kardiokirurg, edhe pse ende nuk e dinte si.
Fillimisht i duhej të ndiqte Fakultetin e Mjekësisë, nga ku ruan ende një medalje ari, e më pas iu desh të nisej në një tjetër rrugëtim, përtej Adriatikut, në Itali. Arriti të fitonte konkursin për të filluar shkollën e specializimit në Kardiokirurgji, fillimisht në Siena e më pas në La Sapienza.
Sapo mori licencën, nisi pa humbur kohë një master në Kardiokirurgjinë Pediatrike për fëmijë dhe më pas filloi punë në spitalin publik “San Camillo”, në Itali. Dukej sikur gjithçka shkonte për mrekulli, me një doktoratë të saponisur dhe një dashuri të sapoardhur.
“U martova dhe krijova një lloj stabiliteti. Tashmë asnjë projekt i imi nuk ishte më në Shqipëri.”
Mirëpo është ky momenti, kur jeta të fut nëpër labirintet e veta dhe, sa hap e mbyll sytë të punon një pabesi. Vetëm një vit pas martesës, bashkëshortja iu sëmur nga një sëmundje malinje e gjakut dhe pavarësisht përpjekjeve dhe sakrificave, ajo vdiq. Por nuk kishte si të ishte e mundur kurrsesi, që gjithçka për doktor Priftin të ishte kaq bardhezi.
“Në vitin 2002 fitova një çmim, më të rëndësishmin europian prej 30 mijë eurosh, që jepej vetëm njëherë në vit, në gjithë botën nga Shoqata Europiane e Kirurgjisë. Ndërsa në prill të vitit 2003 fitova çmimin e madh botëror, që jepet nga Shoqata Amerikane e Kirurgjisë torakale. Është një çmim prej 75 mijë dollarësh, që jepet që prej vitit 1951”, kështu tha dhe tregoi se, pas kësaj një tjetër rrugë iu hap.
Për tre vjet vazhdoi rrugëtimin e karrierës nga Kanadaja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe më pas një “high qualified visa”, ishte ajo që e riktheu. I pëlqeu dhe vendosi të qëndronte në Shqipëri. Që prej asaj periudhe, Edvin Prifti ka mbajtur disa detyra të rëndësishme si, Drejtor Mjekësor i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe Shef i Shërbimit të Kardiokirurgjisë, deri në vitin 2021.
“Gjëja e parë që duhej bërë, ishte të përmirësonim opinionin publik, si dhe të rritej numri dhe gama e operacioneve. Nga 300 operacione që zhvilloheshin në fillim numri shkoi në 900”, shprehet kardiokirurgu.
E ndërsa vëmendjen e kthen tek një moment mjaft i rëndësishëm; hapja e Kardiokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare të Kosovës, me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë.
Krahas të porsalindurve, fëmijëve dhe të rriturve, që operon, një pjesë të mirë të kohës, doktor Prifti e ndan me studentët e Mjekësisë. Me ardhjen në Shqipëri, u angazhua edhe në universitet, ndërsa, që prej një viti i është bashkuar ekipit të Universitetit Europian të Tiranës, që për të është një proces i lidhur ngushtë me sistemin, infrastrukturën, traditën, dëshirën për të mësuar dhe një koncept shumë më të gjerë të mjekësisë. Madje thotë se për të, UET i ka kaluar pritshmëritë e një pedagogu që vjen nga universiteti publik.
“Është hera e parë që në një universitet privat shoh që kërkohet një llogari e tillë ndaj pedagogut, jo vetëm nga studentët, por edhe nga strukturat drejtuese. Nga ana tjetër shoh një impenjim maksimal për publikimet e disa revistave, sipas fushave përkatëse”, thotë kardiokirurgu i njohur, i cili jep lëndën e Administrimit dhe Menaxhimit Spitalor.
Më interesantja dhe pozitivja në UET, sipas tij është ristrukturimi i kurrikulave sipas kërkesave të kohës, ku ka dhënë edhe kontributin e tij.
Edvin Prifti është baba i dy vajzave, por asnjërën nuk do ta inkurajonte të ndiqte Kardiokirurgji.
“Në bazë të eksperiencës personale dhe investimit nuk do t’ua sugjeroja kurrë fëmijëve të mi këtë profesion, aq më tepër në Shqipëri, kur raporti njerëzor me mjekun është një raport i deformuar, i cili keqpërdoret për motive të tjera. Shoqëria shqiptare e sheh mjekun si shërbëtor, si një njeri të korruptuar, një njeri të lig”, shprehet Prifti.
E kur e pyet, nëse është penduar që e ka zgjedhur Kardiokirurgjinë, përkundrazi shprehet i lumtur, që pavarësisht hetimit që po kryhet ndaj tij, asgjë nuk do ta pengojë të rikthehet përsëri.
“Jam i lumtur që bëj këtë punë. Po nuk e bëra përditë, madje disa herë në ditë, duket sikur diçka nga vetja më mungon. Ndihem i parealizuar sikur koha po më ikën kot.” /Revista Liberale