...
Wed. Dec 25th, 2024

Altin Veshti, the path of the heart

Një foshnje nëntë ditëshe, me një defekt të rëndë në zemër, i kujtoi të motrën, që humbi shumë vite më parë, nga e njëjta diagnozë dhe zotimin që pat bërë atëherë mes trishtimit, se do t’i shëronte zemrat e sëmura të njerëzve.

Nga Viola Shkulaku

Sapo qe kthyer në Shqipëri dhe po kryente mbi atë të porsalindur një ndërhyrje për të parën herë të atij lloji, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Mendimi se prindër të rinj si të asaj bebeje, që ende nuk kishte një emër do të garonin në fije të shpresës me kohën për ta dërguar jashtë vendit, e bindi edhe më shumë se kishte bërë zgjedhjen e duhur, kur pranoi ftesën e ministres së Shëndetësisë, mjekes Anila Godo.

Si kirurg, i specializuar në kardiokirurgjinë pediatrike e dinte mirë se një operacion i tillë, si ai që po kryente në sallën operatore të një spitali shqiptar, duhej kryer në dy javët e para të jetës së foshnjës, e cila në rast të kundërt, rrezikonte të humbte jetën në muajin e parë…

Duart e Altin Veshtit u bënë kështu shpëtimi për sa e sa foshnja, fëmijë e të rritur që vuajnë nga patologji kardiologjike. Kanë kaluar dymbëdhjetë vite nga vendimi për të lënë Italinë e për t’u rikthyer në shtëpi dhe foshnja nëntë ditëshe tashmë është rritur, gëzon shëndet dhe mban emrin e motrës së tij, Arjetës, si një simbol i vijimësisë së jetës dhe mirënjohje e atyre prindërve, që gëzojnë fëmijën në sajë të doktor Veshtit.

Ai që dikur ishte terren i panjohur për të, ai i një spitali universitar shqiptar, sot është vendi ku kalon më shumë orë nga dita dhe jeta e tij.

“Sapo operova një burrë 58 vjeç”, foli me nxitim, ndërsa u drejtua nga zyra e tij, në katin e parë të Kardiokirurgjisë, në QSUNT.

Thotë se marrëdhëniet me zyrën – krejt ndryshe nga salla operatore – nuk i ka edhe fort të mira.

“Sapo vij, shoh më letra nëpër duar njëzet veta, me halle nga më të ndryshme. Nuk arrij të vesh bluzën e bardhë, kur shfaqet ndonjë student për temën e diplomës. Sa mbaroj, duhet të bëhem menjëherë gati për në sallën e operacionit dhe sa dal nga salla, janë sërish pesë njerëz aty që më presin”, tregon mjeku kardiokirurg.

Ajo që e gëzon më shumë është ajo frymëmarrje e lehtësimit dhe ato fytyra që çelen përballë tij, kur ndan lajmet e mira, të një operacioni të shkuar me sukses.

“Të duket sikur bëhesh pjesë e secilit prej pacientëve”, thotë.

Për të kardiokirurgjia është jo vetëm një profesion, por shumë më tepër; vokacion. Organ afashinant, e cilëson ai zemrën, studimit të së cilës i kushtoi vite të tëra dhe një rrugëtim të njëmendtë rreth botës.

Studimet i nisi në Padova të Italisë, në njërin prej universiteteve më të vjetër e prestigjiozë në botë. Pas gjashtë vitesh studime për Mjekësi, me rezultate të shkëlqyera, i lindi e drejta për t’u specializuar për gjashtë vite të tjera në kardiokirurgji.

Stacioni i radhës, ku shkoi për t’u specializuar pranë Aldo Castañeda-s, profesor i “Harvard Medical School” dhe babai i kardiokirurgjisë pediatrike, ishte Guatemala. Vendit i mori më të mirën, jo vetëm nga fusha ku po trajnohej, por edhe një vajzë, Ana Lucia-n, e cila do të bëhej bashkëshortja e tij.

Pas Guatemalës, ndalesa e radhës ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës e ku do të trajnohej më tej për fëmijët me defekte ne zemër, në Boston.

“Ajo që nuk ndalem së bëri janë kurset e panumërta për të rejat e fundit në fushën e kirurgjisë së zemrës, çdo vit. Javën tjetër do të shkoj të trajnohem gjashtë ditë në Vjenë, për kirurgjinë e valvulave me incizione të vogla”, rrëfen Veshti.

Profesion që siç thotë ai të mban “të lidhur”. Madje edhe gjatë pushimeve.

“Kur bëj dy javë pushime në verë dhe kthehem sërish në punë, më duket sikur kanë kaluar dy vjet pa operuar. Po e le këtë profesion, të lë”, shton ai.

Xhiroja rreth botës e Altin Veshtit, pati si ndalesa të tjera Londrën dhe më pas Italinë, ku u stacionua për disa kohë bashkë me të shoqen, para se të merrnin vendimin për t’u rikthyer në Shqipëri. Por jo vetëm stacionet e vendeve të botës të zhvilluar. Misionin e tij të mjekut, që është së pari humanitar, e ka ushtruar edhe në vende të Afrikës, si Eritrea.

Prej një dekade, bashkë me një ekip mjekësh ndërkombëtarë, ai është kirurgu primar që kryen ndërhyrje të komplikuara të zemrës, tek fëmijët atje. Një nga emocionet, krahas shpëtimit të jetëve, është ai i mirënjohjes që merr nga prindërit eritreas.

“Ky ka qenë shansi i jetës sime. Ajo që bëj në Shqipëri kryesisht me fëmijët është një mision, si misioni humanitar i Eritreas në Afrikë, ku marr pjesë prej dhjetë vitesh”, tregon.

Me specializimet në fushë të kardiokirurgjisë pediatrike, dyert e çdo spitali në Europë qenë të hapura për mjekun shqiptar. Por ai zgjodhi ndoshta rrugën më sfiduese, duke kryer për herë të parë në Shqipëri ndërhyrje unike në të gjithë Ballkanin.

Duke iu referuar statistikave në spital, rreth 85 përqind e ndërhyrjeve komplekse në zemër janë realizuar në Shqipëri, që për Veshtin do të thotë qindra familje që përndryshe do të shihnin për një shans jashtë Shqipërisë, gjithnjë në garë të ashpër me kohën për anomali të tilla duket edhe më e pamëshirshme. Tashmë shpresa për familje dhe individë me patologji të rënda të zemrës është afër, në Repartin e Kardiokirurgjisë, në Qendrës Spitalore Universitare, “Nënë Tereza”.

Krahas të porsalindurve, fëmijëve dhe të rriturve, që operon, një pjesë të mirë të kohës, doktor Veshti e ndan me studentët e Mjekësisë. Me ardhjen në Shqipëri, është angazhuar edhe në universitet, si lektor i lëndës së Kardiokirurgjisë.

“Jap këtë lëndë në Universitetin e Mjekësisë. Udhëheq temat e diplomave, merrem me studentët dhe trajnoj ata mjekë të rinj që janë në specializim në kardiokirurgji”, tregon mjeku.

Tashmë dihet, se fenomeni i largimit të të rinjve për të studiuar apo punuar jashtë është një problem jo vetëm për Shqipërinë dhe doktor Veshti mendon se është diçka e pashmangshme. Megjithatë, shembulli i tij, që la Europën për të dëshmuar, se edhe në vende ku teknologjia ndoshta nuk është aq e zhvilluar, me vullnet e pasion ia dilet të shkëlqesh edhe në një fushë aq komplekse sa kardiokirurgjia.

“Shpeshherë hasemi me studentë që duan të marrin pesën në mjekësi dhe kjo është e trishtueshme. Ajo që do t’u sugjeroja studentëve është që të frekuentojë spitalin. Kjo hemorragjia e mjekeve është e ekzagjeruar deri diku. Sigurisht që ka mjekë që ikin edhe e prapë prodhon mjekë”, thotë doktor Veshti.

Ai tregon se ka shumë mënyra se si këta studentë të cilët ikin jashtë mund ta ndihmojnë Shqipërinë.

“Qoftë edhe duke ardhur një herë në dy javë, duke bashkëpunuar me mjekë këtu. Duke futur një operacion, ndërhyrje teknike, apo trajtim që nuk bëhet në Shqipëri.”

Vetë ai, as që e ka në plan të largohet. Jo se nuk e ka menduar, apo nuk ka pasur oferta, por si ai, si bashkëshortja, e kanë gjetur veten këtu.

“Bashkëshortja ime është dashuruar me Shqipërinë dhe punën që bën. Merret me një pastiçeri të një niveli të lartë. Kjo është një nga arsyet që duam të rrimë këtu”.

E vetmja keqardhje është koha e kursyer që kalon me të vegjlit e tij, vajzën dhe djalin, për shkak të ditës së ngarkuar të mjekut që del nga shtëpia në shtatë të mëngjesit dhe kthehet pak para mesnate, duke i gjetur në gjumë.

“Sa bëhem gati t’i shoh më marrin për një urgjencë dhe gjithë natën e kaloj në spital”, tregon në fund të bisedës.

Një nga ato urgjenca mund të jetë zemra e një foshnje a fëmije, që duart e mjekut munden ta shpëtojnë. /Revista Liberale

Related Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Seraphinite AcceleratorOptimized by Seraphinite Accelerator
Turns on site high speed to be attractive for people and search engines.