...
Wed. Dec 25th, 2024

Ali Tonuzi, the surgeon who performs the most complicated eye surgeries

Nga Viola Shkulaku

Ishte viti 1986, kur më shumë u tremb sesa u gëzua, ndërsa krejt rastësisht mësoi, se në bazë të mesatares e kishin zgjedhur për të studiuar Mjekësi dhe jo Inxhinieri. Deri në atë kohë recetat e shkruara nga ndihmësmjekja i shihte, sikur të ishin në gjuhë të huaj, pasi as që bëhej fjalë të mësonte latinisht.

I duhej të udhëtonte për rreth shtatë orë nga Dibra drejt kryeqytetit, në Shqipërinë e “trazuar”, që ende vajtonte diktatorin, mes frikës se do ta pushtonin të huajt. Nuk ishte student i dhjetave, por pavarësisht vështirësive të kohës dhe varfërisë ekstreme, Ali Tonuzi arriti që t’i përfundonte studimet, gjithmonë me mesatare në rritje, për t’u kthyer më pas sërish në vendlindje.

I rritur në një familje të madhe, me shumë fëmijë, atij do t’i duhej të bënte punë të ndryshme, ndërsa pas pesë vite studimesh të vështira kthehej si mjek në Peshkopi.

“Fillova punë si mjek i përgjithshëm, në qendrën shëndetësore, në një fshat. Kisha 5-6 fshatra në varësi, një ndihmës mjek dhe 8 infermiere”, tregon doktor Ali Tonuzi.

Nga Tirana u largua me kujtimet e bukura të universitetit, por edhe me shijen e hidhur të varfërisë. Gjashtë studentë jetonin me “barkun bosh” në një dhomë të vogël konvikti, rrethuar nga krevate marinarë, me një tavolinë të vogël në cep e kurrfarë ngrohje.

“Në moshën më të fuqishme, ne nuk ngopeshim me ushqim”, kujton okulisti, vitet, ndoshta më të vështirat nëpër të cilat Shqipëria po kalonte.

Edhe pse u largua drejt vendlindjes, me Tiranën asnjëherë nuk i shkëputi marrëdhëniet. Hera-herës bëhej pjesë e ngjarjeve, që preknin sferën politike të asaj periudhe. Ndërsa krejt rastësisht në një miting takoi anestezistin dhe ish-pedagogun e tij, Tritan Shehun, që në atë kohë ishte ministër Shëndetësie.

“Ishte një pedagog shumë i rreptë, i cili pasi më pyeti se sa e kisha mesataren. Ai më ofroi ndihmë dhe fillova specializimin në departamentin e Okulistikës në Tiranë.”

Thonë se me pak fat dhe shumë punë bëhesh gjeni, ndërsa për mjekun okulist “formulës” i duhet shtuar jo vetëm inat por edhe sakrificë.

“Më i mirë bëhesh, i do dhe i vlerëson më shumë gjërat, se sa kur i ke gati”, thotë ai, teksa kujton orët e zgjatura në punë dhe sakrificat, që ndoshta sot nuk do t’i bënte çdo djalë i ri.

Prej katër vitesh, në spital ishte bërë “si i shtëpisë”, ndërsa kushdo që e kishte parë nëpër korridore e identifikonte, si ai djali i hollë i ambulancës.

“Nëse të tjerët dilnin për qejf dhe argëtoheshin, unë kam ndenjur “pincë” në spital. Në këtë mënyrë fitoja edhe ndonjë para për të jetuar”, rrëfen okulisti.

Ndërsa dyert u hapën për të tjera specializime dhe për herë të parë jashtë Shqipërisë, që nga Bullgaria e deri në Indi. Në përpjekje për t’u bërë profesionist në atë që tashmë ishte pasioni i tij, doktor Tonuzi fitoi një bursë nga Këshilli Mjekësor i Indisë, ndërsa kudo ku shkeli hasi jo pak vështirësi.

“Në Spanjë mjekët habiteshin, se si ishte gati e pamundur që pacientët e mi në Peshkopi t’i dërgoja drejt kryeqytetit për mjekim. Ata mund ta imagjinonin, por nuk e kuptonin se çdo të thoshte aq shumë varfëri.”

Me disa trajtime dhe kualifikime jashtë vendit për kirurgji okulare, si dhe një Fellowship në Menaxhimin Medikal dhe Kirurgjikal në Sëmundjet e Retinës dhe Vitrosit, Ali Tonuzi është ndër të paktët kirurgë të vitro-retinës në Shqipëri.

Në vitin 2003, ai u shkëput nga Peshkopia për të nisur një tjetër rrugëtim. Këtë herë, si mjek okulist dhe kirurg vitreoretinal në Departamentin e Okulistikës, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku punon edhe aktualisht.

Ishte punimi i tij doktoral me temë “Depistimi i patologjive okulare në fëmijët e grupmoshes 3-9 vjeç”, një punim, i cili erdhi si rezultat i ekzaminimit të fëmijëve të shkollave në Peshkopi, për të korrigjuar miopinë dhe që i dha gradën shkencore “Doktor”. Ndërsa që prej tetorit të 2012-s mban edhe gradën “Profesor i Asociuar”.

Krahas pacientëve me probleme të ndryshme që viziton dhe operon, një pjesë të mirë të kohës, ai e ndan me studentët e tij në Universitetin e Mjekësisë dhe specializantëve, që së shpejti pritet të dalin mjekë të rinj.

“Sot në vitin 2022, Ministria e Shëndetësisë në bazë të doktoraturës sime ka filluar depistimin”, tregon Tonuzi, ndërsa shprehet se, kur gjërat realizohen me punë nuk harrohen lehtë.

Që prej vitit 2009, profesor Tonuzi drejton Qendrën Shqiptare të Syve, një klinikë private e themeluar prej tij, ku pjesën më të madhe të ditës e kalon aty, krahas bashkëshortes së tij, me të cilën ndajnë të njëjtin pasion për profesionin, por edhe krahas ekipit të vogël profesionist. Ai tashmë e ka gjetur çelësin e suksesit. Për të, në punë nuk ka diferencim. Marrëdhënien me kolegët e ka të shenjtë, pasi sipas tij, duhet të marrësh informacion nga të gjithë që të shërosh të gjithë. Por më e rëndësishmja për kirurgun e vitro-retinës është që pacienti të trajtohet gjithmonë me besnikëri.

“Është shumë e rëndësishme që të mos gënjehet pacienti. Kur të vjedhin “bluzat e bardha” të kanë vjedhur jo vetëm paratë, por edhe besimin. Nuk mund t’i këshillosh dikujt operacionin kur ka nevojë vetëm për injeksion”, he says.

Këtë përpiqet t’ua mësojë edhe specialistëve të rinj.

Mes angazhimeve të shumta, Ali Tonuzi tregon se, ka një marrëdhënie të ngushtë me djalin e tij të vogël, dhe pavarësisht angazhimeve të shumta përpiqet që të kalojë sa më shumë kohë produktive. Ndërsa e vetmja keqardhje është koha e kursyer me djalin më të madh, për shkak të ditës së ngarkuar të mjekut, që dilte nga shtëpia në shtatë të mëngjesit dhe kthehej pak para mesnate, duke e gjetur në gjumë.

E kur e pyet, nëse është penduar që zgjodhi Okulistikën, përkundrazi, ai shprehet i lumtur që u “përcjell dritë” pacientëve të tij.

“Është sikur del dielli. Nuk ka gjë më të bukur, se kur sheh dritë!” /Revista Liberale

Related Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Seraphinite AcceleratorOptimized by Seraphinite Accelerator
Turns on site high speed to be attractive for people and search engines.