Mon. Nov 18th, 2024

Shkencëtari që shpiku maskën kundër Covid-it bën shpikjen e radhës

Burri i cili shpiku maskat N95 ishte në pension gjatë kohës kur pandemia “goditi” gjithë botën. Por edhe pse kishte kohë që ishte larguar, ai u tregua i gatshëm të rikthehej menjëherë në punë në një moment kur Shëndetësia kishte më shumë nevojë për të.

Bëhet fjalë për Peter Tsai, një shkencëtar amerikan i cili shpiku pëlhurën sintetike për të bërë respiratorë N95, i cili konsiderohet si maska më efektive për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Ai rifilloi punën për sterilizimin e maskave në mars, pasi koronavirusi u përhap në SHBA.

Në një deklaratë për “CNN”, Tsai foli rreth rinisjes së punës së tij gjatë krizës shëndetësore më sfiduese të këtij shekulli.

“Ndjeva se duhej, duhet të ndihmoja mjekët. Ju e dini, ata e vënë jetën e tyre në rrezik. Ajo që di unë mund t’i ndihmojë ata”, tha Tsai të mërkurën në podcastin “Coronavirus: Fact vs Fiction”.

Tsai çertifikoi teknologjinë e përdorur për të bërë maska në 1995.

Ja se si funksionon: Për të bllokuar deri në 95% të grimcave që vijnë në kontakt me maskën, Tsai bëri filtrat duke përdorur metodën e karikimit elektrostatik të koronës. E thënë thjesht, filtri i maskës përmban një ngarkesë pozitive dhe negative. Mund të tërheqë grimca neutrale, si bakteret apo viruset, dhe t’i polarizojë ato grimca, duke i bllokuar ato përpara se të kalojnë nëpër maskë.

Por në momentin që Tsai dëgjoi se mjekët dhe infermierët që po trajtonin pacientë me koronavirus po ripërdornin maskat pasi kishte mungesë në treg, ai mori vendimin për t’u rikthyer.

Ai filloi menjëherë nga puna në Universitetin Tennessee, Knoxville’s Research Foundation, duke punuar deri në 20 orë në ditë për të provuar mënyra të reja për të sterilizuar maskat që të përdoreshin sërish.

Ai provoi një shumëllojshmëri metodash: I la maskat në diell, i futi në furrë, i lau me sapun dhe i la të avullojnë.

Metoda më e mirë, që ai gjeti, ishte mbajtja e maskave në nxehtësi 160 gradë për 30 minuta, gjë që mund të bëhet duke i varur ato në një furrë. Por si duket kjo nuk është metoda e tij e preferuar.

Ai rekomandon blerjen e shtatë maskave N95 duke përdorur një të re çdo ditë. Pasi të përdorë një maskë, ai e var në një vend të izoluar dhe nuk e përdor atë për shtatë ditë, deri atëherë është zhdukur çdo bakter.

Respiratorët N95 janë maskat më efektive, por Qendrat e SHBA për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve paralajmëron popullatën që të mos i blejnë ato, pasi u nevojiten mjekëve në vijën e parë të “luftës”.

Nëse ka një përdorim të gjerë nga popullsia do të ketë mungesë dhe për pasojë do të ketë mungesë edhe për punonjësit e kujdesit shëndetësor nëpër spitale, aty ku janë më të domosdoshme.

“Por njerëzit duhet të mbajnë patjetër maska në ambiente publike, edhe nëse nuk janë N95. Disa njerëz thonë: “Nuk kam nevojë të vendos maskë “, tha ai për CNN, duke shtuar se “kjo është shumë egoiste nga ana e tyre, pasi mikrobet mund të infektojnë njerëz të tjerë”.

Prandaj sipas tij maska është e domosdoshme! /Përshtatur për Labirinth, marrë nga CNN.

Related Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *