Wed. Nov 20th, 2024

Lasgush Poradeci, the "escape" of the hermit never told before

Nga rituali i xhiros buzë liqenit, e deri te çastet e fundit të jetës së tij. Piktori i mirënjohur pogradecar, Anastas Kostandini rrëfen si e ka njohur poetin e madh lirik, Lasgush Poradecin dhe si kishte “ngrënë dru” prej tij

Nga Viola Shkulaku

Një burrë simpatik e i kollarisur ecte me një bastun në dorë në të vetmin shteg nëpër rrugicën e vjetër, që të çonte tek bulevardi i Pogradecit. Ndërsa një djalë i vogël, mezi priste perëndimin, që ai të përfundonte ritualin e xhiros tradicionale buzë liqenit dhe të ndalonte, ashtu si çdo mbrëmje në dyqanin e babait të tij.

Në një kohë kur dukej, sikur vetë koha nuk e njihte dimensionin dhe madhështinë e tij, Llazar Gusho ulej në të vetmen karrige të dyqanit të mikut pemshitës dhe komunikonte me publikun e tij.

Është kjo historia e piktorit Anastas Kostandini, ose Taso, siç të gjithë në Pogradec e thërrasin me përzemërsi, që si rrallëherë vjen me një rrëfim të ndjerë për lirikun e madh të letrave shqipe, Lasgush Poradecin.

Piktori Anastas Kostandini

Është krijuar ideja se, Llazar Gusho ishte një njeri i vështirë për të komunikuar. Si e njihnin pogradecarët dhe a kishte shumë miq poeti?

Lasgush Poradeci ka qenë një person shumë i njohur në Pogradec. Nëse ke jetuar këtu, duhet ta dish se, ai ishte personi më i njohur në atë kohë, kur dukej sikur vetë koha nuk e njihte, ose nuk deshte ta pranonte gjithë dimensionin dhe madhështinë e tij. Ai jetonte për muaj të tërë në Pogradec dhe dimrit kthehej në Tiranë. E kam njohur në rrethana familjare, pasi babai im e ka pasur mik. Ishte njeri simpatik, por edhe i çuditshëm. Të gjithë e përjetonin si një njeri të lartë, por që komunikonte me të gjithë në mënyrën e tij. Në një lloj distance. Nga mënyra se si komunikonte fjalët krijonin distancë vetvetiu. Njerëzit i zgjidhnin bisedat me të, sado të thjeshtë të ishin. Ndryshe nga ç’është thënë se, për shkak të statusit të një shkrimtari të madh dhe të një poeti me studime të niveleve të larta, që kishte miqësi me kolegë si Eqerem Çabej apo Skënder Luarasi, Lasgushi shoqërohej edhe me njerëz të thjeshtë, qofshin këta pedagogë, piktorë, punonjës apo punëtorë. Këtë e tregon edhe miqësia me babain, i cili ishte pemëshitës. Natë për natë, pasi mbaronte ritualin e shtëtitjes buzë liqenit, Lasgush Poradeci vinte tek dyqani i babait dhe bënte një dorë muhabet, pasi atëherë nuk kishte as televizor, as telefon. Njerëzit rrinin shumë me njëri-tjetrin. Më kujtohet që të vetmen karrige në dyqan babai e linte për Zotin Llazar (kështu e thërrisnim të gjithë, nëse e thërrisje shoku Llazar apo Lasgush nuk të përgjigjej), ku ne rrinim dhe e dëgjonim derisa mbyllej dyqani. Ka qenë një ritual shumë prekës dhe origjinal i vendlindjes së tij.

Lasgush Poradeci

Ju e keni njohur, që kur ishit një fëmijë, a keni ju ndonjë kujtim të veçantë me Lasgushin Poradecin?

Kam një histori disi komike dhe prekëse. Isha në vitin e parë të Liceut Artistik dhe gjatë verës u ktheva në Pogradec. Një natë vere, së bashku me mamanë time dhe disa gra të mëhallës (lagjes) kishim dalë të soditnim xhiron në bulevardin kryesor të qytetit. Në këtë moment kalon Lasgushi, i shoqëruar nga një qytetar i zakonshëm me të cilin takohej dendur. Ai rregullonte biçikleta, por përveç kësaj kishte dhe një lloj delli, trilli për bejte dhe poezi, medemek shkencë. Në fund të viteve ’60 ishte koha kur sputnikët ngriheshin në qiell dhe këtij i ishte fiksuar se dhe ky mund të dërgonte një satelit. Me një personazh të tillë grotesk shoqërohej edhe Lasgushi. Teksa bisedonin, shikonin yjet dhe qiellin, unë thashë një fjalë të vetme, që më kushtoi shumë. Për një lloj ilariteti iu drejtova: “mirëmëngjes Zoti Gjorgji” kur në të vërtetë ishte mbrëmje. Ky koment Lasgushit nuk i pëlqeu fare dhe ashtu siç e kishte bastunin drejt qiellit e uli dhe goditi në drejtimin tim. Mua më humbën ndjenjat dhe përfundova me këmbën e enjtur. Kur kishte marrë vesh, që isha djali i mikut të tij Gjergjit erdhi në shtëpi për vizitë me një komposto në dorë. Ky mund të them, se ishte takimi im i parë personal me të. Shkurt kisha ngrënë dru prej Lasgushit (qesh).

Lasgush Poradeci e ka studiuar pikturën në Akademinë e Arteve të Bukura në Bukuresht. Si një njeri që e njihte pikturën, a ka ndikuar ai në karrierën tuaj artistike?

Përveçse poet, Lasgushi ishte edhe piktor mjaft i mirë. Ai dëshironte të bëhej piktor dhe ka pikturuar përgjatë gjithë kohës, duke lënë shumë piktura dhe vizatime.
Kur isha në Liceun Artistik, babai e solli Lasgushin në oborrin e shtëpisë sonë dhe i tha që të më udhëzonte, apo kritikonte. Ai i pa të gjitha pikturat e mia dhe duke shijuar reçelin, që i nxorri mamaja bëmë një bisedë.

“E di t’i djali i Gjergjit ç’domethënë art”, më pyeti.

“Jo Zoti Llazar”, – iu përgjigja.

Me atë bastunin që e mbante për englexhe, sport apo oksidentalizmë, gjuajti atë kalldrëmin e oborrit, të ndërtuar me gurë liqeni dhe tha: “Se-mpli-çi-tet”.

Pastaj më pyeti: “Ç’domethënë art?”

“Sempliçitet”, – i thashë unë.

Ma përsëriti disa herë këtë dhe pasi u bind, u ngrit në këmbë dhe tregoi me bastun nga pikturat e mia. Më pyeste, se çfarë kisha pikturuar dhe më bënte vërejtjet e tij. Sempliçitet sipas tij ishte, që piktura duhet të kishte një sintezë, një realitet të thjeshtëzuar ose një motiv. Jo shumë gjëra në një tablo. E ngriti bastunin në simbolikë për të më thënë që “një”, ashtu si ai bastuni, që ishte vetëm një.

Piktori Anastas Kostandini

Disa e quajnë poet të madh e shumë të tjerë gjeni. Si u përjetua “ikja” e Lasgushit?

Lasgushi pësoi një hemoragji celerbrale dhe lidhja e shkrimtarëve të asaj kohe ishte përgatitur për ceremoninë e tij motrore. Në Pogradec na dërguan njoftim në nivel të Komitetit Ekzekutiv, që duhet të përgatitemi për homazh në nder të poetit. Madje ishin përgatitur edhe fjalimet. Dikush kishte marrë masat, se si do të kryheshin homazhet dhe në çfarë kuote zyrtare do të bëhej kjo. Pikërisht në këtë periudhë, do të hapja ekspozitën time të parë. I kisha çuar punët e mia në pallatin e kulturës, kur më thonë, që pikërisht në atë vend do të vendosej trupi i pajetë i poetit. Ata nuk kishin informacion të saktë, por e besonin që në mos kishte ndërruar jetë, ikja e tij do të ndodhte shumë shpejt. Madje ishin bërë gati edhe kurorat. Pritën dy ditë, tre, i thashë shefit të Kulturës, që “poeti nuk ka ndërruar jetë, a ta hap ekspozitën?”. Më në fund e panë që poeti nuk kishte ndërruar jetë dhë unë e hapa ekspozitën. Midis të tjerave kisha vendosur edhe disa ilustrime, që i kisha bërë veprës së Lasgush Poradecit; “Gjeniu i Anijes”, “Lundra dhe Flamuri” etj. Ekspozita ndenji e hapur rreth një muaj, ndërsa Lasgushi e kishte marrë veten dhe më në fund erdhi në Pogradec. Bashkë me të bijat morën pjesë në ekspozitë, ku i dhurova edhe një nga pikturat e mia.

Lasgush Poradeci

Po, kur ai “u largua” vërtet?

Në fund të jetës së tij, unë kam shkuar në shtëpi dhe më duhej ta pikturoja, sikur ai rrinte i ulur në karrige, ndërkohë që lëngonte në shtrat. Pata vështirësi në modelimin e portretit të tij. Megjithatë më mbetën dy vizatime autentike përpara se të filloja seancën. Dy vajzat e tij e mbanin në karrige, ndërkohë që unë vizatoja me shpejtësi të madhe portretin e tij. Kur kthehesha tek shtëpia ime pikturoja skenën që shihja atje, shtratin e tij. Këtë pikturë e kam në koleksionin e shtëpisë sime. Është një pikturë historike për mua. Gjenialiteti i tij i jashtëzakonshëm në fund të jetës ishte siç e përshkruan Kadareja i madh “Ikja e shtërgut”.
Shumë turistë e identifikojnë Pogradecin nëpërmjet tij dhe sa herë që vizitojnë qytetin nuk rrinë pa e vizituar edhe monumentin.

Monumenti i Lasgush Poradecit

Çfarë vlerë kulturore dhe turistike i jep monumenti i Lasgushit, Pogradecit?

Jam një individ dhe statusi im është piktor, që nuk kam të drejtë të flas në emër të të tjerëve, por ndonjëherë ma do puna. Guxoj të flas në emër të qytetit, i mirëkuptuar prej tyre, që Lasgushi ka qenë simbol i kulturës dhe qytetarisë sonë. Ka qenë krenaria jonë dhe vazhdon të mbetet. Si Lasgushi, ashtu edhe Mitrush Kuteli i kanë bërë një nder të madh qytetit. Me monumentet e tyre, qyteti ka marrë një tjetër fizionomi. Ata janë miqësorë dhe e shpjegojnë më mirë qytetin, dhe traditën nëpërmjet veprës së tyre dhe pranisë së tyre si monumente kulturore. Në botën e sotme të turizmit është shërbimi më i madh, që ata edhe të vdekur vazhdojnë t’i bëjnë qytetit. /Revista Liberale

Related Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *