Moti sot ishte fiks si për Ditë Vere, ndërsa nesër do të jetë me shi dhe me temperatura të ulëta. Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, në zonën e jugut dhe veriperëndim në periudha të shkurtra kohore reshjet do të jenë në formën e stuhive shoqëruar me shkarkesa elektrike
“Moti parashikohet me vranësira mesatare dhe të dendura si dhe reshje shiu të herëpashershme e lokalisht të vazhdueshme me intensitet të ulët dhe kryesisht mesatar në formën e shtrëngatave. Lokalisht në zonën e jugut dhe veriperëndim në periudha të shkurtra kohore reshjet në formën e stuhive shoqëruar me shkarkesa elektrike“, thuhet në njoftimin e SHMU.
Ndërsa, në zonën e Alpeve dhe verilindje në lartësitë mbi 800 metër do të ketë reshje të dendura dëbore.
“Në zonën e Alpeve dhe verilindje në lartësitë mbi 800 metër reshje të dendura dëbore ndërsa në zonën e juglindjes reshjet e dëborës me intensitet të ulët dhe mesatar. Era do të fryjë me drejtim jugperëndim – veriperëndim me shpejtësi mesatare 2- 8m/sek, ndërsa në bregdet dhe lugina era fiton shpejtësi dhe behet intensive kryesisht ne oret e pasdites dhe mbrëmjes 12-18m/s, duke bërë që valëzimi në dete të jetë i forcës 2-5 ballë”, thuhet në njoftimin e shpërndarë në rrjetet sociale.
Temperaturat parashikohen: në zona malore 5 deri 13°C; në zona e ulëta 7 deri 18°C; në zona bregdetare 12 deri 18°C. / Labyrinth