Një nga kullat më të përdredhura në botë është zbuluar në Chongqing të Kinës. Kulla “Dance Of Light”, e projektuar nga firma “Aedas” dhe e përfunduar këtë vit, është 180 metra e lartë dhe përmban një fasadë të përdredhur.
E vendosur në Xingfu Plaza në rrethin Jiangbei të Chongqing, ndërtesa e cila ka formën e thjeshtë dhe elegante të fasadave të dyfishta të lakuara jep përshtypjen e një ndërtese të përdredhur.
Dizajnerët u frymëzuan nga rrezet dhe spiralet e dritave polare që shihen shpesh në Arktik dhe Antarktik, kështu që drita luan një rol kyç në theksimin e formës së përdredhur të strukturës. Pamja e kullës ndryshon nga kënde të ndryshme pasi drita reflektohet dhe përkulet mbi fasadat e xhamit.
“Kur bie nata, fasada e lakuar shfaq reflektime që aludojnë në figurën e kërcimit të një balerine”, tha firma “Aedas” në deklaratën për shtyp.
Sipas Aedas, kulla “Dance Of Light” ka një kënd rrotullimi deri në 8.8 gradë për kat. Ndërtesat e larta që kanë një formë të përdredhur janë shtuar shumë gjatë dëkadës së fundit, falë përparimeve në ndërtim, inxhinieri dhe programeve kompjuterike arkitekturore. “Turning Torso” e realizuar nga arkitekti spanjoll, Santiago Calatrava në vitin 2005 në Malmo të Suedisë ishte ndërtesa e parë e përdredhur që shfaqi stilin inovativ të arkitekturës.
Ndërtesa të tjera të njohura të përdredhura janë; Absolute World Towers e vendosura në Kanada në vitin 2012, 306 metra e lartë, Cayan Tower në Dubai, e projektuar nga Skidmore, Owings & Merrill dhe e përfunduar në vitin 2013. / Labyrinth