Thu. Nov 21st, 2024

Tre deputetë infektohen me koronavirus, Kuvendi merr masa urgjente

Kuvendi i Shqipërisë ka marrë masa menjëherë pasi deputetët Ralf Gjoni, Eljo Hysko dhe Enver Roshi rezultuan pozitivë me koronavirus.

Mësohet se Kuvendi nuk do të pezullojë seancat plenare, por ka vendosur të shkurtojë afatin kohor të diskutimeve. Po ashtu ka nisur menjëherë dezinfektimi i ambienteve të Kuvendit.

I pari i cili bëri me dije se rezultoi pozitiv me koronavirus, ishte deputeti i opozitës parlamentare, Ralf Gjoni i cili tha se dy javët e ardhshme do të qëndrojë i izoluar dhe për këtë arsye nuk do të mundë të marrë pjesë në hapjen e listave.

“Gjatë dy javëve të ardhshme do qëndroj në izolim total në shtëpi për të mbrojtur të tjerët. Me sa duket praninë fizike në javën më kyçe të angazhimit tim parlamentar, atë të hapjes së listave, do ma mohojë një virus i padukshëm. Sidoqoftë, mbetem më i pērkushtuar se kurrë në distancë dhe ne kontakt të vazhdueshëm. Kam kuptuar nga bisedat me mjekë e kolegë që gjatë dy javëve të shkuara, virusi është përhapur me shpejtësi të frikshme pa u ndjerë fare.”, shprehej Gjoni në postimin e tij në rrjetet sociale.

Ndërsa deputeti i Partisë Socialiste Eljo Hysko ka thënë se familja e tij dhe rrethi i tij shoqëror nuk kanë asnjë problem, ndërsa vetë ai është drejt shërimit.

“Tani jam drejt shërimit”, mësohet të ketë thënë ai.

Hysko është konfirmuar pozitiv para 4 ditësh, ndërkohë që nuk ka qënë në Kuvend në seancat e fundit që janë zhvilluar.

Ajo që ende nuk dihet është gjendja e deputetit Enver Roshi, pasi ende nuk ka asnjë reagim nga ana e tij që ta konfirmojë apo hedhë poshtë lajmin që tashmë ka “pushtuar” mediat.

Kujtojmë se sot në mëngjes, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj po ashtu dha lajmin se është infektuar.

“Miq, pas testit më njofuan se dola pozitiv nga Covid-19. Jam në gjendje të mirë shëndetësore, ashtu si edhe familja ime.”, shkruante përveç së tjerash Veliaj. / Labyrinth

Related Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *