Një tjetër politikan është prekur nga koronavirusi, pas kryebashkiakut Erion Veliaj. Bëhet fjalë për deputetin e opozitës parlamentare Ralf Gjoni. Lajmin e bën të ditur vetë deputeti Gjoni, i cili thekson se kishte tri ditë me temperaturë dhe gjendje gripale.
“Dje kam rezultuar pozitiv me Covid 19 pas tre ditësh temperature të lehtë e gjendjeje gripale. Sot jam më mirë dhe me sa kuptoj, drejt rikuperimit. Mirënjohje të thellë për gjithë mjekët e komunitetin mjekësor që po përballet çdo ditë me këtë ‘armik’ të panjohur më parë”, shkruan ai në rrjetet sociale.
Ai thekson se dy javët e ardhshme do të qëndrojë i izoluar dhe për këtë arsye nuk do të mundë të marrë pjesë në hapjen e listave.
“Gjatë dy javëve të ardhshme do qëndroj në izolim total në shtëpi për të mbrojtur të tjerët. Me sa duket praninë fizike në javën më kyçe të angazhimit tim parlamentar, atë të hapjes së listave, do ma mohojë një virus i padukshëm. Sidoqoftë, mbetem më i pērkushtuar se kurrë në distancë dhe ne kontakt të vazhdueshëm. Kam kuptuar nga bisedat me mjekë e kolegë që gjatë dy javëve të shkuara, virusi është përhapur me shpejtësi të frikshme pa u ndjerë fare.”, shkruan Gjoni më tej.
Deputeti thotë se virusi është përhapur kudo dhe se mund ta ketë marrë jo vetëm në ambiente publike, por edhe në Parlament.
“Kjo përhapje ka ndodhur në ambjente publike, dhe patjetër edhe në institucione shtetërore, përfshirë parlamentin. Njerëzit po tregohen të pakujdesshëm dhe po refuzojnë të kuptojnë se Covid19 do disa ditë që të inkubohet në trup. Në momentin që jep shenjat e para, ju mund të keni qenë i infektuar prej ditësh dhe ndërkohë mund t’ia keni kaluar virusin familjarëve e miqve të afërt.”, thekson ai.
Gjoni iu bën thirrje qytetarëve të zbatojnë masat dhe të mbajnë maskë në ambientet publike.
Këshillat e Ralf Gjonit:
NDAJ KUJDES MAKSIMAL!
Mos dilni në ambjente publike pa maskë. 😷
Lani duart pa pushim. 🤚
Nëse keni shenjën më të vogël si temperaturë e lehtë, dhimbje koke, gricje fyti, ethe, djersitje natën, dhimbje trupi, kollë, bllokim hundësh, humbje e nuhatjes/shijes apo çdo shenjë tjetër gripale, duhet të karantinoheni e të kërkoni kryerjen e tamponit. 🏥 Mos e neglizhoni miq. Disa do e kalojnë lehtë, e disa të tjerë do rrezikojnë jetën.
Përgjegjshmëria e secilit prej nesh gjatë 2-3 javëve të ardhshme duhet të jetë në nivelet maksimale. RuajVeten #MbajDistancë #MbroTëTjerët. / Labyrinth