“Jemi në pikun e pandemisë”, kështu është shprehur epidemiologu dhe nëndrejtori i ISHP-së, Dritan Ulqinaku i ftuar në emisionin “Repolitix” në “Report TV”.
“Kemi shtrime edhe vdekje, por situata është në raport me numrin e personave pozitiv që fatkeqësisht ka ardhur në rritje. Nuk është problemi a kemi mundësi, por a kemi njerëz të specializuar, të kualifikuar për t’u shërbyer atyre. Nuk shoh ndonjë frikë imediate.”, u shpreh ai.
Ulqinaku thotë se ky trend shifrash të larta do të vazhdojë edhe për disa kohë, por nuk do të ketë rekorde të tjera dhe se situata është normale, por edhe e menaxhueshme në një kohë kur gjithçka është hapur.
“Është problemi i stafit më shumë se sa i ambienteve. Nuk pres ndonjë boom rastesh, ky trend do të vazhdojë edhe për disa kohë, mund ta menaxhojmë duke mos kaluar në mbingopjen e spitaleve. Është një trend normal i një jete normale meqë çdo gjë është hapur. Ky është piku që kemi duke pasur edhe këtë numër vdekjesh. Jemi në kohë të çuditshme, më vonë disa do të qeshin disa do të qajnë. Nuk kemi më shanse të kthehemi më pas. Të jemi secili të ndërgjegjshëm.”, vijoi epidemiologu.
E ndërsa këtu vlejnë edhe njëherë për t’u përmendur masat që duhet të respektojmë sipas Ministrisë së Shëndetësisë:
-Mbani duart të pastra dhe mos e prekni fytyrën
-Ruani distancën në ambientet publike.
-Kudo kur kjo nuk është e mundur, vendosni maskë apo barrierë mbrojtëse.
-Shmangni grumbullimet me shume njerëz pasi është rrezik për përhapjen e infektimit nga Covid19.
-Kontaktoni nëpërmjet linjës së gjelbër 0800 40 40 me mjekun e familjes.
-Nëse nuk është e domosdoshme evitoni kontaktin me institucionet shëndetësore.
-Kur dyshoni se jeni të prekur duhet të qëndroni të izoluar dhe telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare, 127. / Labyrinth