Në një kohë kur e gjithë bota po përballet me krizën më sfiduese të këtij shekulli, nuk ka se si të mos prekesh nga ato që dëgjon dhe përjeton.
E tillë është historia e një djali në Itali i cili çdo natë ngjitet në dritaren e spitalit ku është shtruar nëna e tij e infektuar me koronavirus.
Këtë histori sa trishtuese aq edhe emocionuese e ka treguar mjekja Anika Dokle nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale
“Ky djalë kërcen çdo natë, pas pune, te dritarja e dhomës ku mbahet nëna e tij e prekur nga Covid-19.”, shkruan ajo, si për të sensibilizuar e dhënë një mesazh qytetarëve për t’u ndërgjegjësuar në mënyrë që, nesër të mos jenë ata në vendin e djalit.
Kujtojmë që qeveria shqiptare e bëri të detyrueshme maskën në ambientet e mbyllura, por gjithashtu mjekët këshillojnë që t’u qëndrojmë larg grumbullimeve.
Ndërsa disa nga masat që duhet të respektojmë sipas Ministrisë së Shëndetësisë po ua sjellim në kujtesë si më poshtë:
-Mbani duart të pastra dhe mos e prekni fytyrën
-Ruani distancën në ambientet publike.
-Kudo kur kjo nuk është e mundur, vendosni maskë apo barrierë mbrojtëse.
-Shmangni grumbullimet me shume njerëz pasi është rrezik për përhapjen e infektimit nga Covid19.
-Kontaktoni nëpërmjet linjës së gjelbër 0800 40 40 me mjekun e familjes.
-Nëse nuk është e domosdoshme evitoni kontaktin me institucionet shëndetësore.
-Kur dyshoni se jeni të prekur duhet të qëndroni të izoluar dhe telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare, 127. / Labyrinth