Nuk është hera e parë që ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati tregohet kritik ndaj pasardhësit të tij, Gent Cakaj apo edhe vetë qeverisë. Edhe sot në Komisionin e Jashtëm, ku po diskutohet propozimi për ambasador të Shqipërisë në Greqi ka ndodhur e njëjta gjë.
“Ambasador bëhesh në dy mënyra, ose duke pas një karrierë të pandërprerë në shërbimin e jashtëm, të kesh gradën ‘Këshilltar”, ose do të vish nga jashtë karriere, ku sërish kandidati duhet të ketë 10 vite përvojë pune në shërbimin e politikës së jashtme. Unë prisja që Sekretari i Përgjithshëm të sillte praktikën. Procesin duhet ta drejtojë Sekretari i Përgjithshëm, duhen administruar kandidaturat. Në e-mailin tonë nuk ka ardhur asgjë, për pasojë edhe Sekretari i Përgjithshëm nuk ishte në gjendje për të bërë shpjegimin. Nuk mund të merret veprim pa u shprehur Presidenti me dekret. Prisja që Sekretari i Përgjithshëm minimalisht të na thoshte pse është bërë ky ndryshim në traditën 100-vjeçare, si dhe nëse jemi në kushtet e ligjshmërisë. Nuk jemi në kushtet e ligjshmërisë“, u shpreh Bushati kundër propozimit të Cakajt.
Ministri Cakaj propozoi vajzën e ish-ministrit të ndjerë të Mbrojtjes, Luan Hajdaraga, Luela Hajdaraga.
Por, me këtë propozim, për ish-ministrin Bushati, po ndryshohet tradita 100-vjeçare, pasi sipas tij, që nga viti 1923 kemi pas në Greqi diplomatë të spikatur.
“Tjetra ka të bëjë me përgjegjësinë dhe dinjitetin e diplomatit. Këtu ka dhe njerëz të tjerë që kanë eksperiencë në raport me shërbimin e jashtëm. Prisja sot që Sekretari i Përgjithshëm të mbronte dinjitetin e diplomatëve. Kur një diplomat shpallet ‘non grata’, sërish kjo procedurë bëhet në mënyrë mjaft diskrete. Lëre më të ushqehet media me deklarime për shpartallime celulash nëpër ambasada, apo për shkarkime massive. Sekretari i Përgjithshëm e di shumë mirë, ka qenë në krahun tim të majtë, kur e kemi mbrojtur këtë ligj në të gjitha debatet maratonë në Kuvend. Në këtë kohë pandemie, një pjesë e mirë e ambasadave tona janë përpjekur të bëjnë një punë maksimale. Dua të mbështesim gjithë brezin e ri, si Luela, por i gjithë procesi duhet mbështetur në traditën 100-vjeçare, pa e ndryshuar, ku që nga viti 1923 kemi pas në Greqi diplomatë të spikatur”, u shpreh Bushati më tej.
Ndërsa vendimi i Cakajt erdhi menjëherë pas shkarkimit të ambasadores, Ardiana Hobdari. Ndërsa në mediat greke u përhap menjëherë lajmi se kjo e fundit u shkarkua për shkak të vjedhjes së 100 pasaportave shqiptare vitin e kaluar në Athinë.
“Sipas informacioneve, Hobdari dhe konsuulli i Përgjithshëm i Janinës, Pervin Gjikuria janë “të përfshirë në rastin e vjedhjes së 100 pasaportave nga një makinë e trupit diplomatik shqiptar që ishte në tokën greke. Automjeti, sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, i përket Gjikurisë. Në të njëjtën njoftim thuhet se konsulli në fjalë kishte marrë përsipër detyrën e transportimit të pasaportave në Athinë dhe dorëzimin e tyre në ambasadën shqiptare.Vjedhja ndodhi në 13 shkurt, vonë natën, në Thesio, ku ishte automjeti i konsullit shqiptar që u vandalizua. Policia Greke u informua siç duhet për ngjarjen.”, reagoi menjëherë “ProtoThema”.
Ndërsa Ambasada shqiptare në Athinë sqaroi se nuk ka njoftim zyrtar nga institucioni përkatës Ministria e Punëve të Jashtme dhe Europës në Shqipëri apo ndonjë institucion tjetër për shkarkimin e ambasadores Ardiana Hobdari.
Por më pas Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë pushoi çështjen e vjedhjes së pasaportave në Greqi, ku nën akuzë ishte dhe ambasadorja shqiptare Ardiana Hobdari.
Kjo e fundit së bashku me shtetasin Pervin Gjikuria u akuzua për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”.
Nga konstatimet e gjykatës, nga aktet e çështjes nuk rezulton që Gjikuria të ketë kryer veprime në kundërshtim me ligjin ose ligjet që normojnë veprimtarinë përkatëse të tij si Konsulli i Përgjithshëm në Janinë.
Po ashtu Gjykata sqaron se: “Në lidhje me bllokimin e pasaportave nga ana e autoriteteve doganore greke është bërë për shkak të mosrespektimit të Konventës së Vienës, fakt ky që është audituar nga Ministria më parë dhe është konsideruar i rregullt. Në lidhje me vjedhjen e pasaportave, bëjmë me dije se vjedhja është kryer në momentin që transporti po kryhej në përputhje me Konventën e Vjenës, pasi ishte marrë përsipër nga konsulli me një automjet me targa diplomatike. Pra si bllokimi, po ashtu edhe vjedhja nuk janë kryer për shkak të shkeljes së ndonjë dispozite nga ana e Ambasadores Adriana Hobdari.”.
Kujtojmë se pasaportat shqiptare u vodhën në Greqi më 19 mars 2019. / Labyrinth