Tashmë dihet që këngëtarja me famë botërore, Ava Max është me orgjinë shqiptare, por deri më sot nuk e kishim parë të fliste shqip.
Për herë të parë, ajo ka dhënë një intervistë për mediat shqiptare. Bëhet fjalë për emisionin “Ditë e re”, të Arjola Shehut në RTV ORA.
Ava tregoi se babain e ka nga Qeparoi dhe mamanë nga Saranda. Më pas tregoi se kishte në plan që të vinte këtë vit në Shqipëri, por për shkak të pandemisë nuk mundi.

“Dua të vij shumë. Kam shumë familjarë atje që po më presin. Me të gjithë gjyshërit e mi kam pasur një lidhje shumë të fortë. Gjyshja që jetonte me mua, ndërroi jetë në 2011. Ajo ishte nga Qeparoi. Unë u mërzita, kur ajo ndërroi jetë.”, u shpreh Ava.
Ajo gjithashtu foli për vështirësitë që familja e saj kaloi kur iku në Amerikë dhe se sa ishin munduar ata për të siguruar jetesën.
“Kur prindërit e mi erdhën në Amerikë nuk dinin gjuhën, nuk kishin para dhe vërtet mundoheshin të na siguronin jetesën. Kështu që unë kaloja vërtetë shumë kohë me gjyshen time”, u shpreh Ava Max.
Por një detaj tjetër shumë i rëndësishëm që Ava tregoi ishte se nga Shqipëria i pëlqen shumë byreku me petë. /Labirinth