Hën. Tet 14th, 2024

Ilir Alimehmeti: Nuk ka shortcut për suksesin

Nga Viola Shkulaku

Fillohet nga rreshti i parë, i faqes së parë, të librit të parë. Nuk ka shortcut për suksesin, dhe për këtë është i bindur fort. Kështu nisi e gjitha, ndërsa edhe sot e kësaj dite i kumbojnë në vesh fjalët e dekanit të asaj kohe në Fakultetin e Mjekësisë.

“Mundohuni të mos bëheni të gjithë njësoj, mos u bëni klone të njërit-tjetrit”, iu tha ai, fjalë të cilat doktor Ilir Alimehmeti mundohet t’ua përcjellë edhe studentëve të tij.

Ishte vetëm 17 vjeç, kur në vitin ’97 sapo kishte mbaruar gjimnazin dhe mori rrugën e emigracionit në Itali, që për hir të së vërtetës asgjë nuk kishte qenë e lehtë. Por, shumë shpejt do të kthehej në Shqipëri dhe do të përfundonte studimet për Mjekësi, e më pas një specializim në Endokrinologji.

Kush e njeh mirë do të mendonte se, për Alimehmetin asnjë nga këto nuk do të ishte rastësi, pasi ka lindur dhe është rritur në një familje mjekësh.

Nga ana tjetër nuk i “shpëtoi” dot as steriotipit, se nxënësit e mirë duhet të studionin Mjekësi. Por, ajo që e shtyu më shumë drejt kësaj ëndrre ishte pasioni për të komunikuar dhe për të qenë afër me njerëzit.

“Kam qenë Matura e ’97-s dhe nuk ishte koha për t’u orientuar në degët e studimit”, tregon midis të tjerash ai.

Pasi përfundoi Endokrinologjinë e kuptoi, se vendin nuk e kishte aty. Thjesht nuk e kishte gjetur veten. Sipas doktor Ilirit, ndonjëherë duhet të ndryshosh rrugën, pasi gjithçka duhet bërë në liri që puna të kthehet në kënaqësi.

“Duhet të vendosësh prioritete dhe të marrësh vendime. Njerëzit duhet ta gjejnë veten e tyre dhe jo të komandohen nga mendimet e të tjerëve, sepse kjo është arsyeja pse janë të mërzitur. Nëse jeni të bllokuar për një arsye, kapërceni diku tjetër. Por gjithmonë merri vendime të mirëmenduara”, këshillon mjeku.

Ndërsa stacioni i radhës për të u bë Holanda. Në Rotterdam studioi Epidemiologji Klinike, e megjithatë gjithçka që kishte dashur ndodhej në Shqipëri. Në vitin 2014 vendosi të kthehej dhe prej nëntë vitesh tashmë, një pjesë të mirë të kohës mjeku Alimehmeti e ndan me studentët e Mjekësisë. Me ardhjen në Shqipëri, është angazhuar jo vetëm si lektor, por edhe si Zv.Dekan në Fakultetin e Mjekësisë.

“U futa në botën akademike sepse, ajo që studiova ka të bëjë me ndryshimin e sistemit shëndetësor, planin dhe strategjitë. Shkenca ishte ajo që më pëlqente dhe për këtë jam i lumtur”, shprehet ai.

Tashmë dihet, se fenomeni i largimit të të rinjve për të studiuar apo punuar jashtë është një problem jo vetëm për Shqipërinë dhe epidemiologu Alimehmeti mendon se është diçka e pashmangshme. Sipas tij, tre janë gjërat që e çojnë përpara shoqërinë; frika, poshtërimi dhe shpresa.

“Në Shqipëri prevalon frika dhe poshtërimi, prandaj studentët largohen me shpresën se jashtë do të jetë më mirë”, thotë mjeku, ndërsa tregon se shpeshherë nëpër bangat e fakultetit gjen studentë, të cilët futen në Mjekësi vetëm për të ikur në Gjermani.

Megjithatë, shembulli i tij, që la Europën për të dëshmuar, se edhe në vende ku teknologjia ndoshta nuk është aq e zhvilluar, me vullnet e pasion ia dilet të shkëlqesh. Për të Shëndetësia është një mision, i cili nuk ndalon kurrë. Një rrugë e gjatë, por që të jep sadisfaksion.

“Mjekësia është një fushë që nuk do të zëvendendësohet nga inteligjenca artificiale, si shumë fusha të tjera. Popullata do të ketë nevojë për mjekë, por studentët duhet ta marrin shtruar, pasi nuk ndodh që të ketë një rrugë të shkurtër për suksesin. Në Shqipëri mjafton të nxjerrësh kokën nga dritarja dhe problemet vijnë vetë. Mundësitë për të bërë janë më të mëdha këtu se në Holandë.”

Pas rikthimit është përballur me dy paradokse, që për të ecin paralel. Nga njëra anë vlerësimi dhe feedback-u i madh që merr nga njerëzit, dhe nga ana tjetër mungesa e vlerësimit nga institucionet.

“Vlerësimi nga institucionet është zero, madje ka presione nga më të ndryshmet. Nga koncepti i shërbimit publik shëndetësor gjërat janë njësoj. Në një shtet që funksiononte do të pritej, që njerëz që merren me këtë fushë të ishin aty duke bërë këtë punë. Tek ne ndodh e kundërta. Përgjithësisht janë njerëz pa formimin e duhur, që merren me këto punë. Duhet të vendosen njerëzit e duhur në vendet e duhura”, shprehet ai.

Duke e konsideruar njeriun një qenie politike, i ndodhur në këto rrethana, por edhe në shumë të tjera, që ai i konsideron anomali, vendosi që të futet në politikë.

“T’i mund të mos merresh me politikën, por merren ata me ty. Ka një lloj përplasje, që ose do përballesh, ose do ikësh, por po ‘ngrive’ në vend, e sigurt që nuk përfiton dhe politika do të shtypë siç ka ndodhur me shumicën dërrmuese të popullatës.”

Ilir Alimehmeti me bashkëshorten dhe dy vajzat e tij

Për Ilir Alimehmetin sukses në jetë do të thotë të gjesh të mesmen e artë, mes vetes, familjes, punës dhe pasioneve të tjera.

“Duhet të gjesh emëruesin e përbashkët dhe të krijosh një lloj ekuilibri për familjen dhe punën”, shpjegon mjeku.

Ai është baba i dy vajzave, të cilat po i rrit me të njëjtën frymë. Do të kishte dëshirë, që në përpjekje për të gjetur veten, ato të eksploronin dhe të zgjidhnin profesionin, që do t’i bënte të lumtura. Nuk i pëlqen ta mbytë ambicja, apo të harrojë veten.

“Gjithsecili duhet të gjejë kohë për veten e tij, sepse nëse nuk ka kohë për veten, nuk mund të ekuilibrojë jetën. Më pëlqen të rri sa më pranë natyrës në këtë fazë të jetës sime”.

Ishte ky momenti, kur po tregonte se sa shumë i pëlqente deti, ndërsa fjalët iu shkëputën nga përqafimet e vajzave të tij. /Revista Liberale

Related Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *