Kosova sot feston 14 vite pavarësi. Ndërkohë po ju sjellim edhe disa fakte historike rreth 17 shkurtit të 2008.
Pavarësia e Kosovës është shpallur më 17 shkurt 2008, në orën 15:39 minuta, ku në Kuvend merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë.
Presidenti Fatmir Sejdiu, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, si dhe kryeministri i vendit, Hashim Thaçi ishin të parët që nënshkruan deklaratën e pavarësisë.
Pas shpalljes së pavarësisë, shtetet e para që njohën Kosovën ishin: Kosta Rika, SHBA, Franca, Afganistani, Shqipëria, Turqia, Britania e Madhe etj.
Pergamena e vjetër 200-vjeçare e dhuruar nga muzeu i Londrës, në të cilën është nënshkruar Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, lapsi, nënshkrimet, listat e nënshkrimeve të deputetëve pjesëmarrës në seancë, si dhe flamuri i vendosur në Seancën e Shpalljes së Pavarësisë gjenden në zyrën e kryetarit të Kuvendit.
Dizajnues i flamurit dhe i stemës së Kosovës është Muhamer Ibrahimi, ndërsa flamujt e parë janë shtypur në Turqi.
Yjet e bardhë në flamurin e Kosovës simbolizojnë komunitetet e ndryshme që jetojnë në Kosovë, harta e verdhë simbolizon pasurinë e Kosovës, ndërsa ngjyra e kaltër simbolizon Europën.
Himni i Kosovës është kompozuar nga kompozitori Mendi Mengjiçi dhe për herë të parë u intonua në seancën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Media të njohura botërore si CNN, BBC etj., transemtuan direkt seancën e shpalljes së pavarësisë në Kuvendin e Kosovës. /Përshtatur për Labirinth