Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden së bashku me bashkëshorten e tij, dhe zëvendëspresidentja Kamala Harris së bashku me bashkëshortin e saj mbajtën dje një minutë heshtje për nder të atyre që humbën jetën si pasojë e koronavirusit.
Rrethuar nga qirinjtë, në shkallët e Shtëpisë së Bardhë, Biden u kërkoi edhe njerëzve të tjerë që t’u bashkoheshin nga shtëpia. Dhe po ashtu bëri thirrje për uljen e flamujve në gjysmështizë në çdo institucion, për pesë ditët e ardhshme.
“Dëgjojmë shpesh termin ‘amerikanë të zakonshëm’, s`ka asgjë të zakonshme. Njerëzit që ne humbëm janë të jashtëzakonshëm, ata përfshinin breza të tërë, të lindur në Amerikë apo të ardhur në Amerikë përmes emigrimit. Ata e dhanë frymën e fundit në Amerikë”, tha Biden.
Kujtojmë se Amerika ka humbur më shumë se 500 mijë njerëz nga Covid-19, edhe pse situata pritet të shkojë drejt normalizimit pasi popullsia ka filluar të vaksinohet. /Përshtatur nga New York Times për Labirinth